Hungaria do të mbajë një referendum më 2 Tetor, nëse do të pranojë apo jo kuotat e caktuara nga Bashkimi Europian, për strehimin e emigrantëve. Lajmi u bë i ditur nga presidenti i vendit, Janos Ader, i cili njoftoi se pyetja në referendum për qytetarët do të jetë:

“A dëshironi që Bashkimi Europian të ketë të drejtën e caktimit të detyrueshëm të vendosjes së shtetasve johungarezë në Hungari, pa miratimin e parlamentit?”

Hungaria është pjesë e vendeve që kanë refuzuar planin e Brukselit për pranimin e një kuote shtesë prej 120 mijë emigrantësh.

Vendimi i BE-së u mor në muajin Shtator, në kulmin e krizës së emigrantëve, por u kundërshtua me forcë nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili i cilësoi kuotat si “të paligjshme dhe të paarsyeshme”.

Vitin e kaluar, Hungaria u kthye në një nga vendet tranzit të emigrantëve që kërkonin të shkonin në Gjermani përmes të ashtuquajturës “rruga e Ballkanit pernëdimor”.

Në kundërpërgjijge të fluksit, autoritetet izolouan me gardh metalik kufirin me Serbinë dhe Kroacinë, një lëvizje që u kritikua fort nga organizatat për të drejtat e njeriut.

Tv Klan