Aktorja e njohur e serialit “Euphoria”, Hunter Schafer, ka zbuluar se në dhjetor iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për afirmimin e gjinisë, duke folur hapur për rrugëtimin e saj personal dhe mënyrën se si e percepton sot identitetin e saj.
“U nënshtrova një ndërhyrjeje kirurgjikale për ndryshimin e gjinisë në dhjetor. Ishte një përvojë e mrekullueshme dhe e dua shumë vendimin që mora”, u shpreh aktorja në një intervistë për revistën “Elle”.
Schafer shpjegoi se për një kohë të gjatë kishte pranuar anën e vetes që sfidonte kufijtë tradicionalë të gjinisë dhe kishte dëshiruar të pajtohej me trupin që kishte më parë, pasi besonte se kishte diçka të veçantë dhe fuqizuese në këtë përvojë.
Megjithatë, sipas saj, me kalimin e kohës e kuptoi se ideja teorike e një bote ku identitetet gjinore shihen pa kufizime nuk përputhej gjithmonë me realitetin e përditshëm dhe me mënyrën se si ajo dëshironte të shprehej dhe të jetonte. Për këtë arsye, pavarësisht se çdo person transgjinor ndjek rrugëtimin e tij individual, tranzicioni gjinor ishte zgjedhja e duhur për të.
Aktorja e cilësoi mundësinë për t’u zhvilluar dhe për të ndryshuar si elementin magjik të identitetit queer. Sipas saj, kjo lidhet me zgjerimin e horizonteve, rritjen personale dhe procesin e vazhdueshëm të zbulimit të vetvetes.
Schafer tregoi se për një kohë të gjatë e kishte perceptuar identitetin e saj gjinor si diçka më të rrjedhshme, ndërsa sot ndihet më e qartë për mënyrën se si e përkufizon veten.
“Jam grua. Jam vajzë”, deklaroi ajo.
Aktorja shpjegoi se për të arritur në këtë përfundim, iu desh të përballej me identitetin queer si filozofi dhe me mënyrën se si ai zbatohet në jetën reale, brenda shoqërisë ku jetojmë.
“Ndiej se mes këtyre dy gjërave ekziston gjithmonë një tension”, u shpreh ajo.
Në intervistë, Schafer foli edhe për periudhën e rikuperimit pas ndërhyrjes kirurgjikale, të cilës iu nënshtrua në fillim të vitit 2026. Ajo zbuloi se kishte marrë me qira një apartament të madh, ku mund ta vizitonin miqtë dhe familjarët, pasi udhëzimet mjekësore kërkonin që të qëndronte e shtrirë.
Gjatë bisedës me revistën “Elle”, aktorja foli gjithashtu për mënyrën se si dëshiron të perceptohet nga publiku. Ajo pranoi se është një privilegj të mund ta zhvendosë vëmendjen e njerëzve përtej identitetit të saj gjinor.
“Është diçka për të cilën jam përpjekur me vetëdije. Më kanë propozuar shumë role transgjinore, por nuk dua t’i luaj. Nuk dua të flas për këtë”, kishte deklaruar më herët aktorja.
Schafer pranoi se është e vetëdijshme për pozicionin e saj në media dhe për përgjegjësinë që mund të ketë ndaj komunitetit transgjinor.
“E di me siguri se jam një nga personat transgjinorë më të njohur në media për momentin dhe ndiej se kam një përgjegjësi, ndoshta edhe pak faj, sepse nuk veproj më shumë si përfaqësuese e komunitetit”, u shpreh ajo.
Megjithatë, aktorja theksoi se beson se përqendrimi te puna e saj dhe arritja e objektivave të mëdha mund të jetë një mënyrë më e dobishme për të kontribuar në kauzën që mbështet, sesa të flasë vazhdimisht për identitetin e saj.
Roli që e bëri të njohur Hunter Schafer ishte ai i Jules në serialin e suksesshëm të HBO-së, “Euphoria”. Ky personazh e ktheu aktoren në një figurë të rëndësishme për shumë të rinj transgjinorë.
Përveç serialit “Euphoria”, Schafer ka luajtur edhe në filmin “The Hunger Games: The Ballad of Songbirds and Snakes”, si dhe në filmin horror “Cuckoo”, të prodhuar nga kompania Neon.
/tvklan.al












Botërori 2026 
