Nis zbatimi i masave të reja anti-Covid në pikat e kalimit kufitar

Nga kjo e hënë për t’u futur në territorin shqiptar ka rregulla të reja. Në të gjitha pikat kufitare, të gjithë shtetasit shqiptar apo të huaj duhet te paraqesin pasaportën e vaksinimit që dëshmon imunizimin me të dyja dozat ose një përgjigje negative e testit PCR ose testit të shpejt.

E vlefshme është edhe dëshmia e kalimit të infeksionit te covid-19 në 6 muajt e fundit.  Në pikën kufitarë të Muriqanit pas mesnatës kanë kaluar 361 shtetas të huaj dhe 99 shqiptarë.

27 prej tyre kanë deklaruar se nuk janë vaksinuar dhe nuk disponon asnjë nga këto dëshmi, ndaj edhe sipas masave të reja duhet të vetëizolohen për 10 ditë. Shtetasit e tjerë thonë se kanë qenë të përgatitur për rregullat e reja të shtetit shqiptar.

Masat janë të vlefshme edhe për fëmijë mbi 6 vjeç. Për këtë në Qafë Thanë dhe Kapshticë ka pasur dhjetëra familje që janë kthyer pas.  Një shtetas nga Tetova me profesion edhe mjek thotë për mediat se është anormale t’i bësh rapid test fëmijëve. Sipas tij në Maqedoni dhe çdo vend të rajonit nuk ka masa të tilla.

Masat e reja nisën të zbatohen edhe ne portin e Durrësit, ku mëngjesin e kësaj të hëne kanë mbërritur afro 300 pasagjerë vendas dhe te huaj me dy tragete që janë nisur nga porti i Barit. Përgjegjësja e komunikimit në Autoritetin Portual Durrës, Elitjona Doko, tha se të gjithë pasagjerët kanë paraqitur një nga tre kushtet për të hyre pa probleme ne vendin tonë.

Masat e reja anti-covid u morën nga komiteti teknik i ekspertëve pas rritjes së ndjeshme të infektimeve të reja nga covid19.

Tv Klan