Kërkohen 3 doza vaksine ose 2 doza dhe tampon PCR për t’u futur në Kosovë

Qytetarët shqiptarë janë shumë të irrituar pas vendimit të qeverisë Kurti që për të hyrë në territorin e Kosovës nevojiten 3 doza të vaksinës anti-covid apo 2 doza të saj të shoqëruara me testin PCR. Më të penalizuar duket se janë banorët e Kukësit që punojnë në Prizren, të cilëve u duhet çdo 48 orë të paguajnë nga 30 Euro për test.

“Punoj në Prizren. Për momentin, njoftimi kërkon tre vaksina, kemi bërë dy. Kemi bërë rreth 80 kilometra rrugë për të ardhur këtu”.

“Nuk e kuptoj pse nxirret ky lloj urdhri në mënyrë të padrejtë, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar që vaksina e tretë bëhet pas 6 muajsh”.

Policia kufitare e Kosovës thote se po zbaton vendimin e qeverisë në përpikmëri, ndërsa në orët e para të mëngjesit kanë kthyer në pikën kufitare të Morinës mbi 350 automjete.

“Jemi duke punuar me të gjitha kapacitetet e mundshme, është duke u zbatuar mirë, përafërsisht deri në 350 vetura janë kthyer sepse nuk kanë plotësuar kushtet”.

Për ata që përmbushin kriteret për dozën e tretë të vaksinës anti-covid, ekipi i lëvizshëm ndodhet në pikën kufitare të Morinës.

“Për të gjithë qytetrët që hyjnënë Kosovë dhe nuk kanë dozën e tretë të vaksinës, duhet që ta marrin nëse kanë plotësuar tre muaj pas dozës së dytë në mënyrë që t’iu lejohet hyrja në Kosovë”.

Në Kosovë javën e fundit është rritur ndjeshëm numri i rasteve me Covid-19, ndërsa po dominon varianti Omicron.

Klan News