Mbyllen lokalet, ora policore nga 20:00–05:00

Në Maqedoninë e Veriut nga mbrëmë kanë hyrë në fuqi masat e reja shtrënguese, që sipas autoriteteve duhet të frenojnë përhapjen e koronavirusit. Ora policore ka filluar dy orë më herët në 20.00 dhe zgjat deri në orën 05:00 të mëngjesit, kurse gjatë ditës së sotme janë të mbyllura lokalet, përveç atyre që mund të shërbejnë përmes porosive. Në fuqi është edhe ndalesa për vizitorë në klubet e fitnesit dhe sallat sportive, si dhe ndalesa për mbajtjen e konferencave dhe trajnimeve.

Këto masa restriktive do të jenë në fuqi deri më 20 Prill. Me mbylljen e lokaleve, sipas Odës së Hotelierëve të Maqedonisë së Veriut, pa të ardhura themelore do të mbesin rreth 30 mijë qytetarë që punojnë në këtë sektor. Ata kanë kërkuar mbështetje urgjente financiare nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, situata epidemiologjike vazhdon të jetë e rënduar. Nëpër covid-spitale mjekohen mbi 1.700 pacientë, shumë prej tyre janë me oksigjeno terapi, kurse nga nesër në shërbim të shëndetësisë publike bëhen edhe mjekë nga spitale private.

Numri i viktimave nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut ka tejkaluar shifrën prej 4.000, janë mbi 136 mijë të infektuar, prej të cilëve, mbi 21.000 janë raste aktive.

Ndërkohë vazhdon imunizimi i qytetarëve që i takojnë infrastrukturës kritike, sot vaksinohen edhe pjesëtarët e Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Klan Macedonia