Ndalohet hyrja e personave të pavaksinuar në kufi

Nga kjo e hënë të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç, pavarësisht shtetësisë, që nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinës anti-Covid nuk mund të futen në Kosovë.

Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës, qofshin ato tokësore apo ajrore, nisë zbatimi i masave të reja anti-Covid, të cilat ndërmjet të tjerave parashikojnë që kushdo që do të udhëtojë drejt Kosovës duhet të paraqesë certifikatën e vaksinimit të plotë me dy doza, ose certifikatë të vaksinimit me një dozë e shoqëruar me dëshmi të testit PCR ose atë të kalimit të Covid-it.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi sqaroi se certifikata e vaksinimit do të kërkohet edhe në universitete, transport urban apo edhe në bare e restorante.

Gjithashtu mbajtja e maskës mbetet detyruese edhe në ambientet e jashtme, ndërsa mbetet në fuqi kufizimi i qarkullimit nga ora 00:00 deri në ora 5 të mëngjesit.

Ndërkohë janë ndaluar veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare e shoqërore, ndërsa në bare e restorante, krahas certifikatës së vaksinimit, aktiviteti do të lejohet në 50 për qind të kapacitetit.

Tv Klan