Siç paralajmëroi presidenti Trump, sanksionet e ashpra ekonomike ndaj Iranit hynë në fuqi në orët e para të së hënës. Ato godasin eksportin e naftës, bankat dhe transportin detar. Sanksionet vështirësojnë së tepërmi tregtinë me jashtë të Iranit, bërthama e ekonomisë së vendit të pasur me naftë. Por për presidentin iranian Hasan Rohani, sanksionet nuk e ndalin Iranin.

“Amerika kërkonte të zeronte shitjet e naftës iraniane, por Republika Islamike do të vazhdojë të shesë naftën e saj për të thyer sanksionet”.

Konsiderohen si sanksionet më të rënda në histori. Pasoja e parë e tyre është nisja e largimit nga Irani të 100 firmave të mëdha ndërkombëtare. Megjithatë Irani mund të vazhdojë të mbështetet tek tregtia e naftës me Kinën, Indinë, Korenë e Jugut, Japoninë e Turqinë. Edhe vendet e BE-së kanë planifikuar një sistem pagesash bankare, që synon të thyejë pengesat e embargos amerikane në tregtinë e tyre me Iranin. Por Uashingtoni kërcënon me sanksione edhe ata që nuk i bashkohen.

Sanksionet amerikane u rikthyen pasi Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin e nënshkruar nga pararendësi i tij Obama, krahas Rusisë, Kinës, Gjermanisë, Francës e Britanisë së Madhe.

Tv Klan