70 refugjatë sirianë të cilët kanë jetuar për disa kohë në kampet e refugjatëve në Luginën Beka dhe në Libanin verior kanë zbarkuar në aeroportin e Fiumicinos, me një fluturim nga Bejruti. Ata do të sistemohen në dymbëdhjetë rajone italiane dhe do të lëvizin drejt integrimit, sipas modelit të pritjes së sistemit të korridorit humanitar. Në muajt e fundit ata kishin pësuar një përkeqësim të kushteve të tyre të jetesës, jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të gjendjes shumë të rëndë politike, ekonomike dhe krizës sociale që po kalon ky vend.

Këtij grupi të parë do t’i shtohen edhe 84 persona të tjerë, mbërritja e të cilëve është planifikuar në datën 3 Dhjetor, mes të cilëve edhe 39 të mitur. Hyrja e tyre në Itali u bë e mundur falë korridoreve humanitare të promovuara nga komuniteti Sant’Egidio, Federata e Kishave Ungjillore në Itali dhe Kisha Valdenziane, në marrëveshje me Ministritë e Brendshme dhe atë të Jashtme. Familjet që mbërritën në Itali pasi të kenë kaluar një periudhë karantine në përputhje me rregulloret anti-covid, do të nisen në banesat e reja. Në mënyrë që të realizohet integrimi i tyre për të miturit është planifikuar regjistrimi i menjëhershëm në shkollë dhe për të rriturit, menjëherë me mësimin e gjuhës italiane dhe pasi të jetë marrë statusi i refugjatit do të mundësohet angazhimi në punë.

Është vetëm një shenjë shprese, të shohësh njerëz që jetojnë prej disa kohësh në kampet e refugjatëve, pa mundësinë e ndërtimit të së ardhmes së tyre, të mbërrijnë të sigurt dhe të ligjshëm me avion. Falë korridoreve, kishat tani janë në gjendje të ofrojnë një mundësi jete për ata që ikin nga luftërat, persekutimet, nga vendet në konflikt.  Shpresa e mposht indiferencën, na mëson Ungjilli dhe vetë lindja e Jezusit, të cilën po përgatitemi ta kremtojmë në kishat tona të krishtera”, tha Marta Bernardini, koordinatore e programit të kishave.

Rreth 4042 azilkërkues sirianë kanë mbërritur në Europë përmes korridoreve humanitare. Korridoret humanitare, janë tërësisht të vetëfinancuara nga mbledhja e fondeve të komunitetit të Sant’Egidios duke përfaqësuar një model efektiv, që ndërthur solidaritetin dhe sigurinë. Këto modele  kanë funksionuar edhe në vende të tjera si Franca, Belgjika dhe Andorra.

Klan News