Jahmir Hyka ndjehet mirë në kampionatin amerikan ku luajti sezonin e fundit. I parë fillimisht si strehë e futbollistëve të njohur në fund të karrierës, sipas mesfushorit të Kombëtares niveli i këtij kampionati po përmirësohet me me shpejtësi.

“Nuk është futbolli që mendohet në Europë është rritur si nivel. Luajnë një futboll fizik dhe teknik. Unë kam mendimin se pas disa vitesh do të jetë në nivelin e duhur.”

Një kampionat që po tërheq gjithmonë e më shumë spektatorë në stadiume madje kalon edhe interesimin në Portugali, Holandë apo Francë. Skuadra e Jahmir Hykës, San Jose Earthquakes shkoi këtë sezon deri në fazën play off një objektiv që nuk arrihej prej 5 vitesh. Hyka erdhi në Major League Soccer pas përvojës në disa kampionate në Europë, mes tyre Bundesliga 1 me Mainz. 29-vjeçari e shikon ende larg ditën që do të varë këpucët në gozhdë, madje kërkon të kontribuojë edhe në Kombëtare kur t’i jepet mundësia.

“Kam qenë dhe jam i gatshëm për Kombëtaren gjithmonë edhe pse luaj larg, por është një zgjedhje e trajnerit dhe e respektoj zgjedhjen e trajnerit.”

Jahmir Hyka i cili është pjesë e Kombëtares prej 10 vitesh ka shënuar edhe golin më të shpejtë në historinë e Kuqezinjve, në një miqësore me Lihtenshtejnin pas 46 sekondash.

Tv Klan