Udhëtim pa kufizime për të vaksinuarit e ata me tampon negativ

Shtetasit europianë mund të udhëtojnë tashmë të pakufizuar mes vendeve anëtare të unionit. Nga kjo e Enjte hyn në fuqi certifikata e gjelbër që u lejon atyre të lëvizin lirisht, mjafton që të paraqesin tek autoritetet kufitare të secilit vend ashtuquajturin “Kod për përgjigjen e shpejtë”.

Ky kod paraqitet pranë autoriteteve përmes aplikacionit në celularë ose në formë të printuar dhe të dërgon drejtpërdrejtë tek baza e të dhënave që vërteton, nëse udhëtari është i vaksinuar ose ka rezultat negativ ndaj COVID-19ës në testin e kryer deri 72 orë para udhëtimit, apo nëse e ka kaluar deri në 9 muajt e fundit infektimin dhe ka anti-trupa.

Certifikata e gjelbër njeh në përgjithësi, vaksinimin me dozat e miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave EMA, nga firmat Pfizer, AstraZeneca, Moderna e Johnson&Johnson. Megjithatë Komisioni Europian ka lejuar që vendet anëtare të bien në marrëveshje dy palëshe për lejimin edhe për të vaksinuarit me doza të tjera. Në Hungari janë përdorur për vaksinim edhe dozat e ruses Sputnik V dhe kinezes Sinofarm.

Shqiptarët mund të udhëtojnë drejt disa vendeve europiane që i kanë hapur kufijtë, si Greqia, Spanja, Franca, Hungaria, Gjermania, Austria e Holanda. Disa prej tyre pranojnë edhe të vaksinuarit me kinezen Sinovac, veç atyre të miratuara nga EMA, por lejohet udhëtimi edhe me tampon negativ apo dëshmi negativizimi.

Synimi i certifikatës së gjelbër është të rigjallërojë sektorin e turizmit dhe udhëtimeve, i godituri më rëndë nga kriza më shumë se 1-vjeçare e COVID-19.

Tv Klan