Policia vijon aksionin ndaj mjeteve lundruese

5 ditë nga vdekja tragjike e vajzës 7-vjeçare në plazhin e Potamit një tjetër drejtues gomoneje ka thyer perimetrin e sigurisë dhe është afruar në breg duke transportuar pasagjerë.

Ai është denoncuar nga pushuesit që kanë publikuar pamjet në rrjetet sociale.

Policia tha se e ka identifikuar pronarin e saj, një 50-vjeçar dhe e ka ndëshkuar me një gjobë prej 100 mijë lekësh të reja ndërsa mjeti lundrues është bllokuar.

Këtë të diel u bllokuan edhe 2 Jet Ski për mungesë dokumentacioni. Policia e Vlorës tha se janë 200 mjete lundruese që po mbahen për t’u verifikuar.

Në terren zbriti sërish këtë të diel edhe kreu i policisë së shtetit Gledis Nano. Duke parë plazhet nga Ksamili në Vlorë ai u kërkoi drejtuesve të policisë zero tolerancë në zbatimin e ligjit për ata që rrezikojnë jetën e pushuesve.

Ky operacion nisi pas vdekjes tragjike të Jonadës që humbi jetën nga goditja e gomones që drejtohej nga një zyrtar policie.

Tv Klan