Infektohet sërish edhe Amir Rrahmani

Nuk ka paqe për Elseid Hysajn dhe Amir Rrahmanin. Dy kapitenët, ai i Shqipërisë dhe i Kosovës, kanë rezultuar sërish pozitivë me Covid-19 nga tamponët e kryer nga Napoli mëngjesin e të mërkurës.

Dy mbrojtësit shqiptarë tashmë janë në izolim në shtëpi. Lajmin e bëri të ditur vetë klubi në një komunikim në rrjetet sociale.

“Tamponët e kryer dje në mëngjes janë të gjitha negativë ndaj Covid-19, me përjashtim të Amir Rrahmani dhe Elseid Hysaj, të cilët janë ripozitivizuar. Menjëherë janë izoluar, duke pritur të bëjnë një tampon të ri” , thuhet në lajmërimin që bëri klubi i Napolit.

Ka ankth në skuadër pasi futbollistët ishin rikuperuar nga virusi, pasi u testuan negativë në kontrollin e parafundit.

E enjtja nis keq për Napolin, që është i angazhuar me ndeshjen kundër Real Sociedad në Europa League. Ekipit nuk i janë bashkuar dot dy shqiptarët.

Hysaj rezultoi pozitiv që para ndeshjes së fundit në Ligën e Kombeve me Bjellorusinë, më 18 Nëntor. Ai humbi radhazi 3 ndeshje në kampionat dhe 2 në Europa League.

Ashtu si herën e parë, Hysaj nuk ka simptoma, por rregullorja është e qartë, izolim i menjëhershëm. Tashmë pritet vetëm testi i radhës, me shpresën që të dalë negativ.

Tv Klan