E ardhmja e Elseid Hysaj mund të jetë në kampionatin rus të futbollit. Lajmin e bën të ditur “SKY SPORT”, që zbulon një ofertë zyrtare për mbrojtësin e Napolit dhe kapitenin e Kombëtares Shqiptare. Pas saj fshihet Spartaku i Moskës, e cila thuhet se ka përpiluar një ofertë prej 7 milionë Euro për të transferuar në Rusi 26-vjeçarin.

Për Hysaj është propozuar një marrëveshje 5-vjeçare, pra deri në Qershor 2025 me vlerë 3 milionë Euro në sezon. Futbollisti kuqezi ndodhet te Napoli që prej Gushtit të vitit 2015, ku u transferua nga Empoli për 5 milionë Euro.

Që prej asaj kohe, Hysaj është bërë titullar i padiskutueshëm në katërshen e mbrojtjes, ku e kemi parë në krahët e saj. Kartoni i tij vlerësohet në treg me 14 milionë Euro.

Në vorbullën e merkatos ka përfunduar edhe mbrojtësi tjetër i Kombëtares Shqiptare, Berat Gjimshiti. Performancat fantastike me Atalantën e kanë kthyer qendërmbrojtësin në një yll në “Bergamo”, çka ka ngjallur edhe interes te skuadrat e tjera.

Milan duket se është më e interesuar për të siguruar shërbimet e 27-vjeçarit të lindur në Zyrih. Ende nuk ka një ofertë zyrtare për të, me drejtuesit kuqezi që kanë në dispozicion edhe 5 ditë për të arritur akordin me Atalantën për transferimin në Milano të Gjimshitit. Në garë për shërbimet e tij është edhe gjiganti holandez, Ajax.

Klan Plus