Mbrojtësi shqiptar shënon golin e parë me Lazio, ngre peshë tifozët 

Elseid Hysaj i është kundërpërgjigjur në mënyrën më te mirë të mundshme kritikave të tifozëve lacial. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte protagonist në miqësoren e fundit për kryeqytetasit, të fituar me shifrat e thella 11-0 përballë Belluno. Hysaj i vënë në qendër të kritikave pas ekzekutimit të këngës “Bella Ciao” përpara shokëve të rinj të skuadrës tundi rrjetën në një diagonale mjaft të bukur.

I aktivizuar në krahun e majtë të mbrojtjes, 27-vjeçari shfrytëzoi hapësirën në mbrojtje dhe me të majtën tundi rrjetën. Një ekzekutim që çoi peshë tifozët e Lazios të pranishëm në impiant, çka lexohet si një ulje armësh mes palëve. Dopietë realizoi sulmuesi tjetër me origjinë shqiptare, Vedat Muriqi. Lojtari i kombëtares së Kosovës i vuri kapat suksesit të të kaltërve duke shënuar golin e 10-të dhe të 11-të.

Klan News