Mbrojtësi kuqezi gjatë prezantimit këndoi një këngë partizane që shkaktoi debate mes tifozëve

Elseid Hysaj ka kënduar një këngë, e cila ka sjellë debate mes tifozëve të Lazio-s.

Mbrojtësi i kuqezinjve siç e do tradita zgjodhi të këndojë përpara shokëve të rinj të ekipit këngën e njohur ndërkombëtarisht me motive partizane “Bella Ciao”.

Por kur panë videon e publikuar në Instagram nga shoku i ekipit Luis Alberto, disa tifozë nuk e pritën aspak mirë.

Në rrjetet sociale, këta mbështetës të bardhekaltërve duket se kanë ide politike ndryshe nga ato që shfaqen në këngë, e ofenduan dhe u tallën me mbrojtësin 27-vjeçar.

Por të shumtë ishin tifozët e tjerë që u dolën kundër, ndërsa ndanë videon duke mbështetur Hysajn.

Klubi i Lazios është lidhur shpesh me të djathtën ekstreme, e një pjesë e tifozëve duan që kjo të përfundojë.

Të shumtë janë bardhekaltrit që mendojnë se “Lazio dhe fashizmi nuk janë sinonime”.

E kënga e zgjedhur nga Hysaj, thjesht risolli në vëmendje këtë debat të përhershëm.

Klan News