Ai është një ndër emrat më të njohur të muzikës popullore shqiptare. Hysni Zela ka kënduar jo vetëm për Myzeqenë, por për të gjitha krahinat e Shqipërisë. Ka merituar titullin “Mjeshtër i Madh i Këngës Popullore” dhe është njohur më së shumti edhe si vëllai i Vaçe Zelës.

I ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Hysni Zela rrëfeu jo vetëm marrëdhënien që ka pasur me motrën e tij, por edhe për jetën e tij artistike ndër vite.

“Ne kemi ardhur në Tiranë në 62-shin. Rrinim gjithë ditën që të shikonim ndonjë targë të Lushnjes sepse nuk ishim mësuar, ishim të vegjël. Por kur vinte Vaçja në shtëpinë tonë sikur vinte perëndia. Të gjithë fëmijët i shkonin nga pas, por unë ngaqë isha rritur në Lushnje e kisha për turp t’i shkonin nga pas time motre. E kam shumë të vështirë të flas për Vaçen, ajo ishte një këngëtare që kur dilte në skenë, me zërin e saj e bënte spektatorin për vete. Ajo ishte shtylla e shtëpisë tonë, na solli në Tiranë. Vaçja ishte e vështirë, kërkonte maksimumin”,

tha Zela.

Gjatë emisionit ai gjithashtu tregoi edhe se si iu fut muzikës. Siç tregon ai ka qenë pjesëmarrja në Festivalin e 10-të, ajo që e bëri shumë të njohur Hysni Zelën.

“Muzika për mua është gjithçka, është ajo që të kënaq shpirtin dhe ç’është e vërteta unë kam bërë shumë profesione, por më tepër më pëlqente kënga. Ne kishim Vaçen në shtëpi dhe ajo na fliste për këngën dhe unë kisha pasion të madh. Më kujtohet që Vaçja kishte një këngë të Avni Mulës “Gëzuar, gëzuar”.  Ajo këngë m’u ngjit aq shumë mua, saqë Vaçja i tha Avniut që t’ma jepnin mua. E dëgjoi Avniu dhe në Festivalin e 10-të kam marrë pjesë dhe aty shpërtheva. Një nga emocionet më të jashtëzakonshme që kam përjetuar ka qenë kur Nikolla Zoraqi, i cili ishte drejtuesi i festivalit të 10-të më tha që do të hapja festivalin. “Sikur më ra pika”, isha shumë i ri. Dola në skenë dhe u mbulova në djersë. Pasi mbarova më thotë Avniu: “Ti do të bëhesh këngëtar shumë i mirë, mbaje mend këtë” dhe Vaçja më tha: “Shumë bukur ke kënduar, më raft pika që je mbuluar në djersë”. Kështu filloi dhe më pas kam punuar me artistë të mëdhenj. Unë kam kënduar për 50 vjet, rreth 1300 këngë. Në atë kohë nuk ishim të kujdesshëm, nuk i regjistronim këngët në radio, edhe pse ishin falas”,

tregoi këngëtari.

/tvklan.al