Steve Carter kishte dashur gjithnjë të dinte të vërtetën për të shkuarën e tij dhe bëri një zbulim tronditës kur dalloi veten në një website për fëmijë të humbur. Peshkatari nga Filadelfia, SHBA, e dinte që ishte i adoptuar nga një jetimore në Honolulu, Hawaii, kur ishte 4 vjeç, por nuk e dinte përse. Dëshira për të zbuluar të vërtetën e identitetit të tij u rrit sa më shumë vitet kalonin dhe kështu, Steve nisi të kërkonte në vitin 2011.

Sipas asaj që shkruan CNN, ai nisi të kishte dyshime pasi dëgjoi për historinë e Carlina White. Carlina ishte rrëmbyer nga një grua e cila ishte shtirur si infermiere në një spital në New York, kur ajo ishte 3-javëshe. Ajo u ribashkua me prindërit biologjikë kur ishte 23-vjeçe, pasi zbuloi të vërtetën duke gjetur pikërisht një foto të vetes në një website për fëmijë të humbur.

Steve ndoqi instiktin dhe vendosi që të kontrollonte në website-in

Missingkids.org

, me shpresën se do të gjente përgjigje. Kështu, në moshën 34-vjeçare, në vitin 2011, ai e gjeti veten duke parë fotografinë e një djali të vogël identik me të, të zhdukur në Hawaii.

Steve u bind menjëherë se ishte ai dhe kontaktoi departamentin e policisë së Honolulu. Ai u dha atyre të dhënat dhe autoritetet u morën me të gjithë çështjen. Në Shkurt të 2011-s, Steve iu nënshtrua testit të ADN-së dhe 8 muaj më vonë ai gjeti rrënjët e tij, sëbashku me emrin që prindërit i kishin vënë kur kishte lindur: Marx Panama Moriarty Barnes.

Babai i tij biologjik, Mark Barnes e kishte denoncuar të birin të zhdukur më shumë se 3 dekada më parë, pasi nëna e tij Charlotte Moriarty e nxori për shëtitje kur ishte 6 muajsh dhe nuk u kthyen më.

Steve zbuloi se e ëma e kishte çuar në shtëpinë e një të panjohuri dhe i kishte dhënë policisë një emër fals dhe datën e lindjes së djalit. Ajo ishte dërguar në spital psikiatrik, ndërsa djali në një qendër për mbrojtjen e fëmijëve. 3 vjet më vonë Steve u adoptua nga Steve dhe Pat Carter, të cilët e rritën në New Jersey.

Pasi identiteti i tij u konfirmua nga policia, Steve telefonoi Jennifer Monnheimer, vajzën e nënës së tij, si dhe gjysmë motrën e madhe. Jennifer ishte 8-vjeçe dhe jetonte me babain e saj në New Mexico, kur nëna sëbashku me Steve u zhdukën.

Ajo besonte se ata kishin vdekur, megjithatë, me një fije shpresë e kishte bindur policinë që ta rihapnin çështjen, e kështu fotografia u postua online.

//tvklan.al