Gjykata lë në burg Altin Ndocin dhe bashkëpunëtorin e tij

Altin Ndoci ka mohuar akuzat se ai ka vrarë vëllezërit Viktor e Besmir Haxhia këtë të hënë dhe Dritan Shkozën dhe Anxhelo Avdiajn më 2 Mars. Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Durrësit nën masa të rrepta sigurie, ai ka pranuar se kishte njohje dhe lidhje familjare me dy vëllezërit që u ekzekutuan 55 plumba kallashnikovi në tregun e makinave në Shenavlash të Durrësit.

U kishte shkuar edhe në varrim. Por ka hedhur poshtë çdo akuzë që e lidh me ngjarjet. Megjithatë gjykata e la në burg bashke me mikun e tij 22-vjeçar Klevis Alla, i cili i dha policisë emrin e Ndocit dhe tregoi vendin ku kishin fshehur armët e krimit dhe makinën e përdorur në atentat, siç tregohet edhe në këtë foto të publikuar nga policia.

Por avokati mbrojtës i Altin Ndocit tha pas seancës se prokuroria nuk kishte paraqitur asnjë provë. Policia dhe prokuroria thanë se kanë prova që e implikojnë Altin Ndocin në të dyja krimet. Nuk dhanë detaje, por mësohet se janë gjetur gjurmë gishtash tek automatikët dhe makina. Edhe verifikimi i 14 telefonave celularë të sekuestruar ka po ashtu prova, që sipas prokurorisë dëshmojnë autoresinë e Ndocit.  

Sipas hetimeve të prokurorisë ka rezultuar se vëllezërit Haxhia janë qëlluar me breshëri plumbash në pjesën e kokës. Po kështu  grupi hetimor pranë vendit të ngjarjes ka gjetur edhe disa pjesë xhami ku shkruhej “TOYO” që besohet se i përket makinës tip Toyota që është përdorur nga autorët. 

Dëshmia e 22-vjecarit Klevia Alla është një tjetër provë e fortë, sipas hetuesve, pasi përputhet me provat e gjetura në terren. Ai ka treguar të gjithë dinamiken dhe motivin e krimit si dhe emrat e disa bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët janë në kërkim. Motivi, sipas policisë, ka qenë prishja e pazareve në trafikun e drogës.

Grupi hetimor thotë se kjo ngjarje ka lidhje me vrasjen Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avidajt më 2 Mars në të njëjtën zonë. Hetimet pritet të hedhin dritë edhe mbi rolin e secilit person të përfshirë në këto dy krime dhe në trafikun e lëndëve narkotike.

Tv Klan