“Më ka vrarë dajën, por nuk e njihja”

Ka pranuar se ndodhej pranë vendit ku u ekzekutua Hekuran Billa, por ka mohuar çdo akuzë si bashkëpunëtor në krim. Sebastian Mali, 22 vjeç, i arrestuar nga policia, ka thënë se nuk po ruante 40-vjeçarin që i kishte vrarë dajën, por po ruante një vajzë aty pranë.

“Nuk kam lidhje me atë që ju më akuzoni. Shkoj shpesh në atë zonë sepse bëj pazarin. Atë natë po ruaja edhe një vajzë dhe as nuk e dija që ndodhi një vrasje. Ai më ka vrarë dajën, por nuk as që e njihja”.

Zbulimi i Sebastian Malit dhe dajës së tij Viktor Markut është bërë nga kjo video, pranë zonës ku ndodhi vrasja.

Policia thotë se detyra e Sebastianit ishte të kontrollonte lëvizjet e Hekuran Billës, ndërsa daja i tij Viktor Marku u afrua në zonë për të bërë ekzekutimin.

Siç shihet nga filmimet e policisë, makina e Sebastian Malit ka ndaluar pranë vijave të bardha, vetëm pak metra larg vendit ku u vra Hekuran Billa. Mali qëndron me automjetin e ndezur, ndërkohë që makina tjetër vijon ta ndjekë derisa qëllon mbi Hekuran Billën rreth 30 herë.

Ndërkohë burime nga grupi hetimor, i thanë Televizionit Klan se kanë ndaluar edhe dy persona të tjerë, që mendohet se kanë ndihmuar në vrasjen e 40-vjeçarit Hekuran Billa më 11 Qershor.

Ata janë dy të rinj nga Shkodra që Sebastian Mali u kishte marrë makinën me qira. Ende nuk dihet roli i tyre, por janë shoqëruar për t’u pyetur lidhur me ngjarjen.

Ndërsa ngjarja duket se po zbardhet nga policia, personi që dyshohet se qëlloi ndaj Hekuran Billës, Viktor Marku, ende nuk është gjetur.

Policia dyshon se më pas Viktor Marku ka kaluar drejt Kosovës, nëpërmjet kufirit të gjelbër. Shkak i vrasjes mbetet pista e hakmarrjes, pasi Hekuran Billa ka vrarë në vitin 2006 dajën e Sebastian Malit dhe vëllain e Viktor Markut, Prel Markun.

Tv Klan