Mbrojtësi i Anglisë kritikoi sjelljen e padisiplinuar të tifozëve në “Wembley”

Futbollisti i kombëtares së Anglisë, Herri Meguajër tregoi se i ati i tij u shkel nga huliganët anglezë, të cilët po tentonin të futeshin në stadiumin “Uembli” pa bileta për të parë finalen.

Mbrojtësi i “tre luanëve” tha se babai i tij Alan 56-vjeçar mori goditje në brinjë, pasi u shkel nga tifozë të tjerë dhe e pati shumë të vështirë që të merrte frymë.

Lojtari tregon tronditjen me faktin që huliganët nuk u ndalën, por shkelën këdo që kishin përpara vetëm që të futeshin në stadium.

“Nuk ishte aspak një eksperiencë e këndshme. E tronditi atë! Por ai ishte me fat pasi në çdo ndeshje që ka qenë, ka pasur nipin tim ose një nga fëmijët e mi mbi shpatulla.

Falënderoj Zotin që nuk ndodhi, pasi do të ishte një problem serioz. Ishte e frikshme. Babai im u shkel nga huliganët. E pësoi edhe agjenti im. Më pas nuk merrte dot frymë për shkak të goditjes në brinjë, por nuk e bëri të madhe”

Mbrojhtësi i Junajtid tregoi se probleme pati edhe brenda stadiumit, ku vendet e familjarëve dhe miqve ishin të zëna dhe huliganët nuk pranonin që t’i lironin ato.

Ai është një ndër futbollistët që kritikoi me forcë edhe abuzimet raciste që disa nga shokët e ekipit përjetuan, pasi gabuan penalltinë kundër Italisë në finalen e Euro 2020.

Klan News