Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg ndaj 19-vjeçarit Ilirjan Hasanaj, i cili akuzohet se i bëri atentat me armë shefit të policisë bashkiake të Malësisë së Madhe duke e lënë të plagosur.

I riu do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve, që do të hedhë dritë plotësisht mbi motivet e ngjarjes. Në burg është lënë edhe Verzan Bajrakutaj, kushëriri i 19-vjeçarit, pasi akuzohet se e ndihmoi për t’u larguar nga vendngjarja. Avokatët kërkuan masë më të lehtë sigurie, por gjykata nuk pranoi.

19-vjeçari Hasanaj u vetëdorëzua dy ditë më parë dhe pranoi krimin përpara uniformave blu. Ilirjan Hasanaj u shpreh se e qëlloi shefin e Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj, për një konflikt pronësie që kishte dëgjuar nga babai i tij. Sipas tij, atentatin nuk e kishte bërë me paramendim. Atë ditë pa Mentor Hasanajn duke kaluar me makinë dhe e ndoqi me motor, ndërsa është shprehur se armën e mbante me vete.

Policia ka dyshime mbi variantin e kësaj ngjarje pasi i riu mund të jetë përdorur nga persona të tjerë si vrasës me pagesë. Nga të shtënat me armë mesditën e 11 Tetorit, mbetën të plagosur Mentor Hasanaj dhe babai i tij Xhelal Hasanaj, teksa të dy udhëtonin me makinë.  /tvklan.al