Rubrika “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan ditën e sotme solli historinë e veçantë të dy shokëve.

Naimi dhe Agroni u njohën së bashku në ushtri dhe aty filloi një miqësi mjaft e fortë midis tyre. Pas mbarimit të ushtrisë, ata i bënë njëri-tjetrit shumë premtime dhe një prej tyre ishte se do ishin të pranishëm në dasmën e njëri-tjetrit. Por nuk ndodhi kështu.

Kur Naimi u martua, Agroni i shkoi në dasëm dhe kjo ishte hera e fundit që ata u takuan.

Kur Agroni u martua në vitin ’94, i dërgoi telegram shokut të tij, por ai jo vetëm që nuk erdhi në dasëm, por as nuk i ktheu një përgjigje.

Ardit Gjebrea: Agron, Naimi, 30 vite pa e parë?

Agron: 30 Ardit!

Ardit Gjebrea: Shokun e ushtrisë!

Agron: Në atë kohë ushtria ishte jo si sot, edhe shoqëria ishte ndryshe besoj unë.

Ardit Gjebrea:  Pse si ka qenë shoqëria atëherë dhe si është sot?

Agron: Unë them që ka qenë më e sinqertë në atë kohë.

Ardit Gjebrea: Ku je njohur me Naimin?

Agron: Kemi qenë ushtarë. Vetë jam nga Bulqiza kemi ikur në ’89 ushtar, na dërguan në Elbasan dy vjet. Mbas disa ditësh mua më dërguan në një kurs ndërlidhje në Elbasan brenda. Bëra kursin 3 muaj dhe pastaj u ktheva në repart. Një nga shokët më të mirë, një njeri i çiltër, njeri shumë i urtë, i buzëqeshur gjithmonë, i gatshëm, shumë i respektuar me të gjithë.

Ardit Gjebrea: Nga ishte?

Agron: Ai ishte nga Peshkopia!

Ardit Gjebrea:  Kështu që ju lidhi një miqësi e ngushtë!

Agron: Po shumë e ngushtë.

Ardit Gjebrea:  Erdhi një moment që ti bëre grusht me një shok aty, ai të mbrojti?

Agron: Ai më ra në qafë dhe ky direkt ndërhyri, direkt i gatshëm.

Ardit Gjebrea: Tani në momentin që kërkon Naimin, do të thotë që ti e humbe? Si e humbe?

Agron: Sa u liruam në ’89 , në ’90 ai pas 5-6 muajsh u martua.

Ardit Gjebrea: Çfarë premtime i bëtë njëri-tjetrit kur u liruat nga ushtria?

Agron: Që do takohemi, por se si nuk e di, se nuk kishte asnjë lloj komunikimi faktikisht, vetëm po të shkoje direkt në shtëpinë e tjetrit, ose me telegram.

Ardit Gjebrea: Kush u martua i pari?

Agron: Ai u martua dhe më dërgoi telegram dhe unë shkova në dasëm.

Ardit Gjebrea: Kjo ishte hera e fundit që u patë?

Agron: Po hera e fundit, në ’90 para 30 vitesh.

Ardit Gjebrea: Pastaj çfarë ndodhi me jetën tënde?

Agron: Në ’93 isha i fejuar, në ’94 u martova. Siç i bëmë premtim njëri-tjetrit i çova dhe unë telegram, po nuk erdhi. Naimi asnjë lloj përgjigje./tvklan.al