Policia Rrugore në 24 orët e fundit ka arrestuar 23 drejtues mjetesh, nga të cilët 13 për drejtim mjeti në gjendje të dehur, që varionte nga 0.64 mg/l deri në 1.49 mg/l, dhe 10 të tjerë për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia në një njoftim për mediat sqaron se  është arrestuar në flagrancë E. Ç., 35 vjeç, banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat, pasi u kap në aksin rrugor Berat-Poliçan, duke drejtuar në gjendje të dehur një mikrobus 18 pasagjerë në mjet.

Nga matja me aparatin drager rezultoi testi i parë në masën 1.07 mg/l dhe testi i dytë 1.09 mg/l. Drejtuesi i mjetit u ndëshkua me masë administrative 15.000 lekë të rinj, pezullim të lejes së drejtimit për 24 muaj dhe zbritje 8 pikë nga leja e drejtimit.

Po ashtu bëhet me dije se janë arrestuar në kushtet e flagrancës 5 drejtues mjetesh, për tentativë për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, 4 prej tyre nga Policia Rrugore e Tiranës dhe 1 nga Policia Rrugore e Elbasanit, të cilët për t’i shpëtuar masës administrative, iu kanë ofruar punonjësve të Policisë Rrugore, nga 1000 deri në 2000 Lekë të rinj. 

Me gjobë janë ndëshkuar dhe 2032 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkohë kontrollet kanë zbuluar dhe 38 shoferë që udhëtonin me shpejtësi tej normave të lejuara dhe u është pezulluar patenta./tvklan.al