I del emri në listë, i burgosuri nuk merr dot lejen sepse…



I del emri në listë, i burgosuri nuk merr dot lejen sepse…

21:27 28/04/2020

Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim që hap dyert e burgjeve për një kategori të dënuarisht në kushtet e masave kundër përhapjes së koronavirusit.

Nga kjo masë përfitojnë ata të burgosur, të cilëve u kanë mbetur 3 apo 5 vjet nga dënimi, si dhe plotësojnë kriteret e tjera.

Kadri Llanaj, një i burgosur në burgun e Fierit, i është drejtuar emisionit “Stop” për një problematike që ka hasur në përfitimin e kësaj lejeje, edhe pse ai thotë se i ka plotësuar kriteret. Llanaj tregon se i ka dalë emri në listë, por institucioni i krijon probleme.

Ai rrëfen se pasi plotësoi të gjithë formularin përkatës,iu kërkua numri i një familjari që do të merrej me dokumentet që duhet të dorëzoheshin tek juristi.

Për arsye se familjarët nuk e morën dot autorizimin për të lëvizur nga Vlora në Fier për shkak të masave kufizuese në lëvizje, ata i dërguan dokumentet me postë.

Por pak ditë më vonë, të atij i komunikuan se duhet t’i dërgojë përsëri tek familjarët dokumentet, që më pas të dorëzohen dorazi dhe jo me postë.
Pasi familjarët kryen këtë procedurë, iu bë me dije se kishte kaluar afati për dorëzimin e tyre.

“Jam një i burgosur nga burgu i Fierit. Më ka dalë emri me urdhrin e Ministres së Drejtësisë, që nxori për lejen 3-mujorshe. Unë kam 6 vjet në burg. Më kanë ngelur dhe 2 vite. Plotësova formularin sipas rregullave. I dhamë dhe një numër telefoni të një familjarit tonë, që do vinte të firmoste. Kishin folur me familjarët tanë, fola dhe unë me familjarët e mi. Prunë dokumentet, po nga situata e pandemisë, që ishte krijuar nuk kishin mundësi, nuk u dilte urdhri, i dërguan dokumentat me postë. Vetë edukatorja merr zarfin sipas rregullave, ma sjell mua dhe e hapëm në syrin tim. Këto janë dokumenta, që kanë dalë nga gjendja civile për lejen 3-mujorshe, që ka dhënë urdhër shteti dhe janë për tek juristi. I mori edukatorja dhe i çoi tek juristi. Mbas 4-5 ditësh vjen edukatorja dhe m’i sjell dokumentet këtu në dhomë. I them unë këto janë për tek juristi, pse m’i sjell mua? Më tha, nuk e di unë, këtë urdhër më kanë dhënë. Vjen shefi i godinës më flet, më thotë mua “Më kanë dhënë urdhër, që të të them .Dokumentet duhet t’i dërgosh përsëri në shtëpi dhe të vijnë familjarët, t’i bien me dorë, se kështu është ligji”,- tha. Këto dokumente tani, duhen të noterizuara dhe një vërtetim me firmë, me vulë nga zyra e gjendjes civile që ti, i thonë je djali i vëllait të tij, që do firmosësh. Gjithë dokumentet të reja, i noterizon, i sjell këtu, ditën e hënë, që kaloi. Ka kaluar afati,- i thonë”, shprehet ai.

Llanaj i bën apel Ministrisë së Drejtësisë që të saktësohet nëse ai e përfiton këtë leje apo jo.

“Kërkoj t’i bëj një thirrje Ministres së Drejtësisë, a më takon mua kjo leje? Brenda ligjeve të shtetit, jashtë ligjit nuk kërkoj as gjënë më të vogël”. /tvklan.al



Të ngjashme