I ashtuquajturi si “Baron i Drogës” nga mediat italiane, Alket Hatija 50 vjeç, u arrestua nga Policia e Durrësit, me qëllim ekstradimi në vendin fqinj.

Hatija qëndroi për disa muaj në arrati dhe u arrestua në një hotel në qytetin bregdetar.

Policia tha se 50-vjeçari është dënuar nga Gjykata e Milanos me 20 vjet burg për trafik të lëndëve narkotike, kryesisht të llojit heroinë.

Në bashkëpunim me 40 persona të tjerë, gjatë periudhës 2003-2004, ai dyshohet se ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge, rreth 10 kg heroinë për çdo rast.

Alket Hatija u arrestua fillimisht në 2018 dhe nisi një proces gjyqësor kundër ekstardimit me argumentin se e ka vuajtur dënimin për këtë çështjë në Shqipëri, sipas një vendimi të ish-Gjykatës për Krime të Rënda që njohu vendimin e dënimit në Itali.

Hatija fitoi betejën vetëm në Shkallën e Parë, pasi të gjitha shkallët e tjera të gjyqësorit vlerësuan se ai duhet të ekstradohet.

Fatin e tij e vulosi Gjykata Kushtetuese në Janar 2022, kur vendosi të mos kalojë për shqyrtim kërkesën e Hatisë që kërkonte prishjen e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe bllokimin e ekstradimit.

Tv Klan