Është arrestuar në Francë një shqiptar i kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Paris kanë bërë të mundur kapjen e Tom Kaçi, 50 vjeç, banues në Bulshar, Mirditë.

Ai ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar me 5 vite burgim, për vepër penale në fushën e narkotikëve.

Kaçi, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në zona të thella malore të rrethit Mirditë kultivonte lëndë narkotike të llojit cannabis sativa dhe më pas ata kryenin transportimin e saj me mjete, në drejtim të zonave urbane të Mirditës.

Në kuadër të procedimit penal të regjistruar që në vitin 2013, u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i aktivitetit të paligjshëm në fushën e kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve.

Sipas policisë së shtetit, tashmë pritet ekstradimi i tij drejt vendit tonë. /tvklan.al