Pasuri, vlera e të cilave arrin në rreth 300 mijë Euro i janë sekuestruar një 42-vjeçari në Tiranë. Bëhet fjalë për Gjino Lleshaj, i cili njihet dhe me emrin Shkëlqim. Ai rezulton i dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike. Një garazh, një makinë dhe një njësi tregtare, Lleshaj dyshohet se i ka përfituar përmes veprimtarisë kriminale.

Këto pasuri që 42-vjeçari i dispononte ndodhen në zonën e Selitës. Për të shmangur gjurmimin nga autoritetet shqiptare, Lleshaj i kishte kaluar në emër të familjarëve dhe të tij.

Gjino Lleshaj rezulton se është dënuar me burg për trafik droge në sasi të mëdha. Këtë aktivitet dyshohet se e ka kryer në disa vite në bashkëpunim edhe me persona të tjerë.

Për sekuestrimin e pasurive me prejardhje kriminale, reagoi edhe ministri i brendshëm Taulant Balla. Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, edhe për operacione të tjera, Balla thotë se gjurmimi dhe sekuestrimi i pasurive dhe vlerave monetare të krimit janë prioritet i punës së Policisë së Shtetit.

Sipas ministrit Balla së shpejti pritet të materializohet një nismë konkrete ligjore për krijimin e zyrës së rikuperimit të aseteve.

Klan News