Eriton Panajoti ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Romës e kishte dënuar me 11 vjet heqje lirie. Por 43-vjeçari nga Vlora jetonte i qetë në këtë qytet dhe lëvizte duke ndryshuar herë pas here gjeneralitetet, deri më sot, kur autoritetet policore e vunë në pranga.

“Shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar për intervistim më të thelluar një shtetas që gjatë deklarimeve ka krijuar dyshime për saktësinë e gjeneraliteteve. Pas intervistimit të thelluar dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe bashkëpunimit të ngushtë me Interpol Tirana dhe DVP Vlorë, u bë i mundur saktësimi i gjeneraliteteve, konkretisht shtetasi Eriton Panajoti, 43 vjeç, banues në Vlorë, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili për t’i shpëtuar kapjes së policisë ka ndryshuar disa herë gjeneralitetet”, thotë policia në një njoftim për mediat.

Panajoti u dënua në Shtator të 2009-s me rreth 11 vite burg për veprat penale “Rrëmbim personi”, “Përdhunim”, “Grabitje” dhe “Vjedhje”. Aktualisht 43-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 7 vite e 8 muaj e 20 ditë burg. Ai pritet të ekstradohet drejt Italisë. /tvklan.al