Një shqiptar i dënuar me 25 vjet burg për vrasje në Shqipëri endet i lirë nëpër rrugët e Britanisë, me vendim gjykate. Hektor Mahmutaj, 42-vjeç, pretendon se çdolloj tentative për ekstradimin e tij do të ishte në dhunim të të drejtave të njeriut.

Mahmutaj u dënua me 25 vjet burg në Shqipëri për vrasjen e Gentjan Jahaj në Korrik të 1997-s.

Sipas asaj që shkruan e përditshmja DailyMail, emigranti u fsheh në një fermë, përpara se të futej ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar me kamion, Dhjetorin e po të njëjtit vit.

Ai ka jetuar në Britani prej më shumë se 20 vjetësh, duke përdorur të paktën 13 emra fals për t’i shpëtuar autoriteteve.

Mahmutaj, i cili jeton në Liverpool, u dënua për vrasjen e Jahaj në mungesë, në Prill të vitit 2000. Ai dyshohet se e qëlloi për vdekje Jahaj teksa ndodhej në një makinë sëbashku me tre persona të tjerë, në fshatin Bejar.

Interpol e liston atë si të kërkuar për akuzat e

“vrasjes me paramendim, prodhim narkotikësh dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake.”

Mahmutah u arrestua në Dhjetor të vitit 2006, sipas një urdhër arresti të Interpol, kur u zbulua identiteti i tij i vërtetë.

Ai u dënua me dy vjet e gjysmë burg, për akuzat që lidheshin me armët e zjarrit në Britani, por një aplikim për ekstradimin e tij nga Shqipëria u refuzua vitin që pasoi.

Gjykatësi vendosi që Mahmutaj nuk ishte fshehur qëllimisht nga autoritetet shqiptare dhe nëse do të rikthehej atij nuk i garantohej një proces i ri gjyqësor.

Policia shqiptare lëshoi sërish një tjetër urdhër arrest për të 10 vjet më vonë, pas ndryshimit të ligjeve sa i përket rigjykimit. Mahmutaj u arrestua sërish në Janar dhe tashmë do të përballet me rigjykimin nëse ekstradohet.

Në gjykimin e dhënë të premten, gjykatësi Tan Ikram tha se tashmë Mahmutaj mund të ekstradohej, por duke qenë se nuk është shtetas i Bashkimit Europian, rasti duhet të referohet në Home Secretary.

DailyMail shkruan me tej se shqiptari u la i lirë, pasi pagoi 10 mijë paund garanci.

Babai i dy fëmijëve mësohet se deklaroi para gjykatës se ekstradimi i tij do të ishte i padrejtë, pasi ai nuk ishte arrestuar kurrë për akuzën që rëndon mbi të dhe ky ekstradim do të shkatërronte familjen e tij.

Mahmutaj mohoi gjithashtu vrasjen dhe deklaroi se ishte fshehur e arratisur pasi kishte frikë nga vrasësi i vërtetë.

Megjithatë gjykatësi Ikram tha se fakti që babai i dy fëmijëve nuk u arrestua kurrë apo nuk u gjykua për vrasjen ishte sepse kishte qenë në arrati.

I pyetur nga mediat britanike, një zëdhënës i Home Office nuk mundi të jepte një shpjegim përse Mahmutaj nuk ishte deportuar në vitin 2003, kur u bë i njohur për sistemin e drejtësisë atje si kriminel dhe emigrant i jashtëligjshëm.

/tvklan.al