Prej vitit 2001 në arrati, V.F është arrestuar në SHBA, aty ku i fshihej dy dënimeve me nga 25 vite në Shqipëri, për vrasjen e 3 personave.

Prangosja e 52-vjeçarit u bë në Nju Jork falë shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre amerikane.

Sipas hetimeve, pas largimit nga Shqipëria, V.F ka përdorur dokumente të falsifikuara dhe të paktën dy identitete të rreme për të hyrë ilegalisht në territorin e SHBA-së.

V.F dyshohet se ka përdorur edhe një identitet tjetër të rremë, të marrë nga një vend i Amerikës Qendrore.

52-vjeçari është shpallur fajtor dhe dënuar fillimisht nga Gjykata e Shkodrës me 25 vite burgim për vrasjen e Gjelosh dhe Ardiana Markaj, për motive hakmarrjeje.

Më pas, po kjo gjykatë e ka dënuar sërish me 25 vite burgim për vrasjen e Gac Tomës në gusht të vitit 2001, po në Shkodër.

Me arrestimin e tij, tashmë autoritetet kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të duhet të përballet me drejtësinë.

Tv Klan

/tvklan.al