Elvis Hoxhaj, i dënuari me 12 vite burgim për vrasjen e 23-vjeçarit Hermes Beqiri në vitin 2017 në qytetin e Shkodrës, ka folur nga burgu për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus.

Në një lidhje me Skype nga burgu i Burrelit, Elvis Hoxhaj pretendon se po kryen një dënim për një vrasje që nuk e ka bërë ai.

Hoxhaj pranon se përpara hetuesve ka pranuar vrasjen e Hermes Beqirit gjatë marrjes në pyetje dhe proceseve gjyqësore, por sot thotë atë dëshmi e ka dhënë për shkak se i ishte bërë presion për ta pranuar.

Elvis Hoxhaj: Unë me atë ngjarje nuk kam asnjë lloj lidhje. Mua më kanë akuzuar padrejtësisht se nuk kanë asnjëlloj prove, unë nuk kam qenë atje, kam qenë  në Malësi të Madhe te dajat e mi. Unë jam i pafajshëm, ata dëshmitarët kanë folur kundra meje, unë nuk i njoh ata. Unë kam qenë tek dajat e mi. Ngjarja, thuhet aty, se është bërë në orën 19:30, unë nuk kam qenë aty. Në 19:55 kam qenë te dajat e mi. Nuk e di pse jam në burg unë, jam në burg padrejtësisht, kam kërkuar me media e me gjëra që ta zbardhin këtë çështje të dal prej burgut se jam duke bërë burg kot. Kurse Ditmir Arifi nuk më ka çuar mua për të vrarë viktimën Hermes Beqiri.

Spartak Koka: Ju e keni pranuar versionin në Prokurori dhe në Gjykatë se keni qenë vrasësi i Hermes Beqirajt. Ndërkohë tani po na thoni një version tjetër.

Elvis Hoxhaj: Unë e kam pranuar se mua më kanë bërë presion në komisariat, unë nuk kam ditur ditur gjë çfarë kam thënë se kam qenë shumë i tronditur, edhe e kam pranuar, është shumë e vërtetë. Por është një gjë, që nuk e kam bërë unë se gjykata duhet të ketë prova për atë punë, e prova për mua nuk ka.