I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka përfunduar vizitën në Kosovë duke vënë në pah rëndësinë e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës. Sipas tij çështja e personave të zhdukur mbetet prioritet në dialog.
“Familjet që ende presin të mësojnë për të dashurit e tyre meritojnë qartësi dhe drejtësi. Prandaj, çështja e personave të zhdukur mbetet prioritet për mua në dialog”.
Deklarata e përbashkët e Kosovës dhe Serbisë për personat e zhdukur, ende nuk ka gjetur zbatim, ndërsa pritet fillimisht formimi i komisionit të përbashkët.
Sorensen gjithashtu ka takuar edhe drejtuesit e Listës Serbe. Sipas komunikatës për media të kësaj partie, janë ankuar te emisari europian se kryeministri Kurti, ia dha një mandat ministrit Nenad Rashiq me “vota të shqiptarëve”.
Kjo parti tha se ka kërkuar nga i dërguari i ri “që të jetë neutral dhe të bëjë gjithçka që është e mundur që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen, veçanërisht në lidhje me formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
Sorensen, në platformën e tij X e ka përmbyllur vizitën me një foto nga pika kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Merdare, në të cilën ka investuar BE-ja.
Ai ka shkruar se është koha për të rritur bashkëpunimin dhe për të modernizuar edhe të gjitha pikat e tjera të kalimit Kosovë-Serbi.
Tv Klan