I dërguari i posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi

I dërguari i posaçëm për bisedimet Kosovë-Serbi

18:00 04/10/2019

Politika e Prishtinës mirëpret emrin e Richard Grenell

Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell do të jetë i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Trump për bisedimet Kosovë-Serbi. Kosova e ka mirëpritur deklaratën e presidentit amerikan Trump për emërimin e ambasadorit të SHBA-së në Gjermani si të dërguar të tij për dialogun Prishtinë-Beograd. Për presidentin Hashim Thaçi ky emërim është një tjetër dëshmi që Trump dhe administrata amerikane qëndrojnë pranë Kosovës në çdo hap të rëndësishëm.

“Tani jemi edhe më konfident në procesin e dialogut dhe në mundësinë që të arrijmë njohjen nga Serbia dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe kështu ta përmbyllim konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë”, deklaroi Thaçi.

Këtë emërim e ka mirëpritur edhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

“Do të punojmë dhe angazhohemi bashkërisht rreth dialogut pa kushte, për arritjen e njohjes reciproke në kufijtë ekzistues” ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se kjo konfirmon më mënyrë faktike përfshirjen e SHBA-së në dialog.

Përfshirja e mëtutjeshme e SHBA-së me persona të dërguar për dialogun është tregues i mossuksesit evropian për të përmbyllur një proces mbi të cilin ka marrë një përgjegjësi tash e kohë.

Ai ka shprehur shqetësime për profilin e të dërguarit të SHBA-së për dialogun. Ai pritet të përfshihet në një proces pa një ekspertizë dhe pa një përvojë substanciale në rajon. Kjo është një karakteristikë shqetësuese mbi profilin e këtij të emëruari.

Grenell, ekspert i politikës së jashtme, është themelues i firmës “Capitol Media Partners” në vitin 2010, që ofron konsulencë për çështje të jashtme.

Ai gjithashtu ka qenë zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në OKB për shtatë vjet.

Bashkësia Ndërkombëtare posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdimisht janë duke bërë trysni që të rifillojë dialogu Prishtinë-Beograd menjëherë pas krijimit të qeverisë së re pas zgjedhjeve në Kosovë.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi