I dështojnë të mbjellat me lakër, ekspertët: Fara e degjeneruar

I dështojnë të mbjellat me lakër, ekspertët: Fara e degjeneruar

21:10 17/04/2020

Fermeri nga Lushnja, Shkëlqim Sulko ka telefonuar në redaksinë e emisionit “Stop”, pasi në tokat e tij ka mbjellë një bimë, që ka rezultuar një dështim. 

Ai thotë se në 4 Nëntor, Pandeli Boci, agronom në Drejtorinë e Bujqësisë në Lushnjë i ka thënë të mbjellë lakër, të cilën ky i fundit e ka blerë në Divjakë.

Shkëlqim Sulko: Unë jam nga fshati Krutë, i Lushnjës. Më datën 4 Nëntor, zoti Pandeli Boci më ka kontaktuar dhe më ka thënë “Do fidanë lakër, apo jo? Dua, i kam thënë unë dhe më ka sjellë 20 mijë fidanë lakër, kam mbjellë 5 dynym lakër. E mbolla këtë lakër dhe sipas recetës së tij, i kam hedh plehrat që ka thënë ai, shërbimet që ka thënë ai. Tani, kur vete të shikoj parcelën, se vete çdo ditë shikoj parcelën, po nxirrte lule. Vlera reale e shpenzimeve mua më ka vajtur 3 milionë lekë të vjetra.

Nga Nëntori deri tani, Shkëlqimi ia ka bërë të gjitha shërbimet lakrës së mbjellë. Por ai pa që produkti kishte lule dhe jo kokë. Shkëlqimi tregon se ka shkuar tek Pandeli Boci, por ai nuk mban përgjegjësi, megjithëse kjo histori i ka shkuar atij rreth 3 milionë lekë.

Shkëlqim Sulko: Ky është në Departamenin e Bujqësisë së rrethit Lushnjë (për Pandeli Bocin). Punon atje agronom në këtë departament, ka dhe gradën Doktor. Iu luta i thashë: Hajde, më jep lekët e shërbimeve të paktën. Shpenzimet, gjënë minimale, nuk dua prodhim i thashë. Se prodhimi kushton, vete gati me çmimin që ka vajtur lakra sot, vete 10 milionë lekë të vjetra. I thashë më jep 2 milionë lekë të shpenzimeve. Ai nuk pranoi. Vajta takova drejtorin, zotin Mico Qorri. Më pruri një komision dje tek parcela. Ekspertët dolën në përfundimin, që lakra është lakër e degraduar, nuk është lakër perime, por është lakër e degraduar. Është lakër sere, nuk është lakër fushe. Kjo lakër mbillej në serë dhe nuk është lakër që mbillet në fushë. Unë këtu nuk marr 1 mijë lekë të vjetra, 1 kokë lakër nuk kam këtu. Në qoftë se do jetë faji i fermerit ose i tokës, këtu duhet të dilte 20%, 30%-50% lakër kokë. Këtu s’ka dalë asnjë bimë lakër kokë, që do të thotë faji është i farës.

Gazetarja: Ti sa vite ke që merresh me këtë?

Shkëlqim Sulko: Kam 10 vjet, që merrem me perime. Unë kërkoj nga emisioni  “Stop”, të ma zgjidhi këtë hall të madh, që më ka rënë.  Kjo është një fatkeqësi, që më çon 10 vjet mbrapa mua.

Gazetarja ka kontaktuar me agronomin Pandeli Boci, që ai i ka marrë fidanin, i cili shprehet se difektin duhet ta ndajnë ekspertët.

Pandeli Boci: Cfarë lakre mbillet tani? Mbillet lakër Marloo f1, hibrid f1 i themi ne, lakër kokë. Dhe e gjen, një kompani e ka ekskluzivitetin, që e fut këtë lloj lakre i thashë, Agrokoni në Lushnjë. Mbarova punën, thjesht kam kryer një porosi, për t’i ardhur në ndihmë si shok, meqë kisha dhe rrugën edhe si agronom, i bleva 15 mijë dhe jo 20 mijë. Zotit Shkëlqim, ajo lakër i ngeli pa kokë. Duke plotësuar moshën si fidan, Tetor, Nëntor, Dhjetor, Janar, Shkurt ajo mbeti në madhësinë e fidanit, për arsye se u mplak si bimë, se nuk iu shërbye dhe ngeli e vogël. Absolutisht se kjo është difekti i farës, se gjithë të tjerët morën kokë, ky s’mori kokë.

Gazetarja: Tani të sqarojmë dicka.

Pandeli Boci: Difekti, tani unë nuk dua të bëj ekspertin. E di mirë ekspertin, por nuk dua ta bëj, se jam palë në këtë lloj sherri. Difektin tani për mua, le ta ndajnë ekspertët. Është i farës, të vijnë të verifikojnë burimin apo është i teknologjisë së zbatuar nga zoti Shkëlqim.

Gazetarja: Në 15 mijë fidanë, në qoftë se do të ishte fara e saktë, nuk do të dilte qoftë edhe një e saktë me kokë? Domethënë lakër-kokë?

Pandeli Boci: Po pse ma kërkon këtë përgjigje mua, unë di ta jap.

Gazetarja: Sepse ti je agronom. Ma thuaj!

Pandeli Boci: Po di ta jap! Absolutisht, por mua është pjesa e teknologjisë. Seç ka bërë ai, ta shpjegojë ai. Një pjesë të barrës ta mbajë Çimi, një pjesë ta mbajë kompania, që ka shitur farën, e cila e pranon botërisht që këto 6 qese janë të miat.

Në këto kushte Shkëlqimi ka shkuar tek Drejtori i bujqësisë në Lushnjë dhe ditën tjetër i kanë shkuar tre ekspertë, të cilët i kanë thënë, se fara është e degjeneruar ose farë sere.

Eksperti: Kjo po ta shikosh kështu tregon si lakër sallatë, nuk tregon si lakër kokë, ti e ke syrin.

Shkëlqim Sulko: Do dëgjosh pak Çimin. Kjo është lakër e re, tha Pandi.

Eksperti: Kjo është nga ajo që mbillen në sera dhe kushtet atmosferike këtë e kanë degjeneruar detyrimisht, me aq sa shoh. Nuk po i hyj tokës dhe bimës.

Shkëlqim Sulko: Më fal një minutë. Tani si Çimi, kam faj unë si fermer.

Eksperti: S’ke faj ti, po unë çfarë kompetence kam? Dakord, kjo është lakër për serë. Me çfarë shikoj me sy, kjo nuk ndryshon fare nga lakra e serës. Se shiko kjo dhe potencialin e gjethes e ka si ajo. Këtë që shikoj unë kam frikë se ti e ke bombarduar me pleh organik dhe kjo e ka bërë gjethe të mirë. Unë po flas me trutë e mia, kjo është bimë e degjeneruar,e kupton ti tani?/tvklan.al





Të ngjashme