Ditë zije në Formula 1. Është ndarë nga jeta Eddie Jordan, në moshën 76-vjeçare, një nga legjendat e këtij sporti.

Irlandezi ishte pronar i skuderisë Jordan, nga viti 1991 deri në vitin 2005. Eddie Jordan, do të mbahet mend si personi që i dha debutimin një tjetër legjende të Formula 1.

Michael Schumacher bëri debutimin e tij me Jordan në vitin 1991, në Belgjikë. Lajmi për ndarjen nga jeta, u bë i ditur nga familjarët e Eddie Jordan, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë për kohësh.

“Me pikëllim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Eddie Jordan, ish-pronar i ekipit të Formula 1, ekspert televiziv dhe sipërmarrës. Ai ndërroi jetë i qetë në Cape Toën i rrethuar nga familja e tij”, thuhet në deklaratën e familjes.

I trishtuar u shfaq pas këtij lajmi edhe CEO i Formula 1, Stefano Domenicali, i cili tha se Eddie Jordan ishte protagonist i një epoke në këtë sport.

“Jemi thellësisht të pikëlluar pasi mësuam për vdekjen e papritur të Eddie Jordan. Me energjinë e tij të pashtershme ai gjithmonë ka ditur t’i bëjë njerëzit të buzëqeshin, duke mbetur gjithmonë i sinqertë dhe brilant. Eddie ishte protagonisti i një epoke të Formula 1, do të na mungojë shumë. Mendimet e mia dhe të gjithë familjes së Formula 1 janë me familjen dhe të dashurit e tij”, tha Domenicali.

/tvklan.al