“Nënat nuk duhet të mendojnë për dekoltenë e tyre, por duhet të mendojnë për shëndetin e fëmijës së tyre”, kështu tha në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan gazetarja Enkeleida Zeko. Paneli i të ftuarave në program përveç familjeve të vogla dhe frikës që kanë çiftet e reja për të sjellë në jetë një fëmijë, preku dhe një temë tjetër. Mosdëshirën e nënave për të ushqyer fëmijët e tyre me qumësht gjiri.
Enkeleida Zeko tha se ajo e ka mbajtur vajzën e saj në gji për 2 vite e 7 muaj. Edhe pse shprehet se ndjehet shumë krenare për këtë gjë, ajo pranon se nuk kanë munguar gjykimet. Në studio ajo tregon se koleget i thoshin shpesh herë se po i bënte krim vetes.
“Vajzën e kam mbajtur në gji për 2 vjet e 7 muaj me gjithë punën që bëja, me gjithë intensitetin që kisha dhe jam shumë krenare për këtë që kam bërë. Por, ka pasur shumë nga ato kolege që realisht më kanë thënë që ‘si ka mundësi që ti bën këtë krim për veten sepse gjiri jot do të shkojë në atë gjendje kur ti nuk do ta marrësh më veten. Ti po dëmton veten ndërkohë që kujton se po ndihmon fëmijën,’ kjo gjë për mua është totalisht e gabuar, sepse rëndësi ka që njeriu të ndjejë plotësisht atë dashuri dhe lidhje që ka me fëmijën deri në fund. Gjidhënia është një nga ato gjërat më të bukura në momentin që ti sjell në jetë një fëmijë. Nuk duhet të mendoni që trupi juaj po prishet, por përkundrazi trupi juaj do të marrë energjinë e nevojshme e zemra juaj do të marrë dashuri, nëse ju do t’i jepni gji fëmijës sa më gjatë që të mundeni. Kështu që mos mendoni për veten nëna të reja e të dashura, por mendoni për mirëqenien e fëmijës edhe për diçka të bukur që ka ky proces”, tha gazetarja./tvklan.al