I riu nga Korça Marsel Morava u ankua në “ Stop” se i është vjedhur identiteti dhe në emër të tij, është marrë një kredi në Korrik 2020 në një institucion financiar, me vlerën 1 milion e 500 mijë lekë, plus interesat.

Gjithçka ka nisur nga një bisedë e bërë me një profil fals në rrjetin social Facebook. Në datën 2 Shtator, Morava ka shkuar në bankën ku merr pagën për të kërkuar një “over draft”.

Por në këtë moment i komunikojnë, se rezulton debitor në një bankë tjetër. Në bankën ku del debitor verifikon se ka marrë 1 milionë e 530 mijë lekë të vjetra dhe në total shuma shkonte në 2 milionë e 600 mijë lekë.

Punonjësja e bankës e pyet Marselin nëse ka qenë në Vlorë pasi atje është bërë blerja në 10 Shtator. Por Marseli nuk ka qenë në këtë qytet.

“I jam drejtuar emisionit “Stop” për arsye se më kanë vjedhur identitetin tim. Në datën 2 Shtator kam shkuar në bankën Intesa San Paolo aty ku marr rrogën për të marrë një over draft. Më marrin në telefon dhe punonjësja më komunikon që ju dilni debitor në një bankë tjetër, Iute Credit. I kam thënë që nuk kam bërë një blerje ose një kredi të marrë. Shkoj te filiali i Iute Credit në Korçë dhe atje me të parë të dhënat shikon që unë dilja debitor me një vlerë 1 milionë e 530 mijë, bashkë me totalin vente  2 milionë e 600 mijë lekë. I thashë se nuk kam bërë një blerje ose një kërkesë për kredi. Më ka kërkuar punonjësja emër e mbiemër ta shkruaja në një fletë dhe më ka kërkuar numrin e telefonit. Aty ka parë të dyshimtë që unë nuk kam qenë personi që kam bërë këtë kërkesë ose blerje dhe më thotë që ke shkuar në Vlorë ose jo. Atje i them jo nuk kam shkuar asnjëherë në Vlorë. Më thotë që është bërë një blerje në Vlorë”, tha Morava.

I vetmi veprim i dyshimtë është, se në 31 Korrik ka komunikuar me një vajzë në Facebook, të cilës i ka nisur me foto kartën e identitetit, që ajo të bindej për moshën e tij. Të nesërmen ai profil nuk ekzistonte më.

Denoncuesi: Unë dyshoj, se në datën 31 Korrik, në “Messenger” kam komunikuar me një vajzë, ku më kërkohet fotoja e kartës së identitetit. Si fillim unë nuk e kam dhënë. Më ka dërguar një vajzë, foton e kartës së identitetit, për punë moshe. Gjatë bisedës ka insistuar.

Gazetari: Sa vjeç je ti Marsel?

Denoncuesi: Unë jam 33 vjeç.

Gazetari: Sa vjeç i ke thënë ti këtij profili, se ishe në momentin, që bëre këto biseda?

Denoncuesi: Unë i kam thënë moshën time reale. Aty nuk ka besuar. Donte të tregonte, që unë isha më i vogël, ka bërë provokime. Atje i kam dërguar edhe unë këtë kartë dhe dyshoj, që ky është personi, që mua më ka bërë këtë blerje, pasi mua edhe banka, ku vajta në “Iute Credit”, dilte fotoja e kartës së identitetit, ku unë e kisha dërguar. Më dërgo pak kartën e identitetit, se unë të dërgova timen, ku punon, më ka kërkuar, që je me sigurime ose jo. Të nesërmen u mbyll, nuk ekzistonte më.

Në këtë moment Marsel Morava ka komunikuar me drejtorin e Krimit Ekonomik dhe ka bërë denoncim për gjithçka i ka ndodhur, me falsifikimin e të dhënave dhe firmës së tij.

Denoncuesi: Kam komunikuar me drejtorin e Krimit Ekonomik. Kam bërë edhe denoncimin, ku i kam treguar të gjithë historinë, si ka ndodhur. Është falsifikuar emri, mbiemri, firma, më është ndërruar numri i telefonit. Mesa më thanë, kërkesën, do ia dërgonin Prokurorisë së Vlorës, pasi ata nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në qytetin e Vlorës, merren vetëm me Qarkun e Korçës.

Edhe institucioni financiar ku janë marrë paratë ka denoncuar rastin e falsifikimit, për të cilën pritet konkluzioni i hetimeve./tvklan.al