Një italian i arratisur dhe i dënuar në mungesë për vrasjen e dy shqiptarëve, është arrestuar nga policia në Barcelonë, Spanjë. Maurizio Archinito 26 vjeç qëlloi për vdekje Alban Medhën 51 vjeç dhe Ndue Brukën 28 vjeç, ngjarje e ndodhur në vitin 2012 në Abbiategrasso pranë Milanos në Itali, pasi dy shqiptarët hynë në banesën efamiljes së tij.

26-vjeçari përdorte një dokument të falsifikuar me identitet italian gjatë qëndrimit në Spanjë. Policia spanjolle kishte marrë njoftime nga homologët italianë rreth adresës së mundshme ku fshihej i riu. Autoritetet spanjolle zbuluan se 26-vjeçari frekuentonte një lokal nate që shërbente si bazë për shitjen e kanabisit. Ai ishte përfshirë gjithashtu në këtë aktivitet ilegal. Ai u gjurmua nga hetuesit dhe u arrestua në flagrancë. Përveç dokumentit të rremë, iu gjetën edhe 2100 Euro. Maurizio Archinito do të ekstradohet në Itali për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata.

26-vjeçari ishte arrestuar fillimisht kur ndodhi ngjarja e rëndë dhe më pas u la i lirë me masë sigurimi detyrim paraqitje deri në përfundim të hetimeve. Në Korrik të vitit të kaluar, ai u dënua së bashku me vëllain e tij Mattia me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy shqiptarëve. Por, 26-vjeçari ishte larguar nga Italia dhe ishte arratisur në Spanjë gjatë kohës që ka qenë në liri me kusht.

Krimi i rëndë në atë kohë ndodhi pas dy shqiptarët, dajë dhe nip, kishin vjedhur banesën e familjes së 26-vjeçarit italian që u arrestua në Spanjë. Alban Medha dhe Ndue Bruka kishin bërë dhe gjeste ofenduese ndaj familjes, sipas hetimeve të policisë italiane. Për këtë arsye, vëllezërit italianë u hakmorrën duke vrarë me armë dajën dhe nipin. Sipas policisë, shqiptarët kishin lënë një vibrator në shtratin e prindërve të dy vëllezërve italianë pasi kishin vjedhur në banesën e tyre.

/tvklan.al