Pas grabitjes spektakolare të parave më 9 Prill 2019 në pistën e aeroportit të Rinasit, Talo Çela u shpall në kërkim si pjesë e kësaj bande.

Sot ai rezulton të jetë i vetmi person në kërkim për këtë grabitje. Madje për arrestimin e tij policia ka ofruar 10 mijë Euro shpërblim.

Por sa i pasur është njeriu më i kërkuar për momentin në Shqipëri? 49-vjeçari Çela është rrëfyer nga arratia për emisionin “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus.

Spartak Koka: Profesioni juaj cili është? Me çfarë merreshit para se të shpalleshit në kërkim?

Talo Çela: Unë kam qenë në punë te Olta sh.p.k., te nusja e një shokut tim, kam punuar për ca muaj aty, më hoqën nga puna. Pastaj kam qenë te kafja ime, që kam një kafe-lavazh me vëllain që e kemi përgjysmë. Kemi futur letrat për legalizim, nuk është as lokal jo. Kish një tokë gjyshi, e kam zaptuar si tokë trashëgimie. Vëllai ka marrë kredi edhe me profile hekuri e kemi bërë.

Spartak Koka: OFL ju ka sjellë letër në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Cila është pasuria juaj?

Talo Çela: Unë kam bërë katin e parë në ’93. Në ’97 babai shiti shtëpinë e vjetër edhe një robi im i bleu shtëpitë e vjetra i ka mbajtur 4-5 vjet, por ato u shembën fare si shtëpi. E shiti baba 7 milionë Lekë. Nga këto lekë që patëm mbledhur neve bëmë katin e 2. Kati i 3 është kot, fals. Kati i 1, është nga ’93 edhe deri më sot që ne po flasim, nuk është hapur kurrë, s’kam pasur kurrë lekë ta hap katin e 1.

Spartak Koka: Keni qenë emigrant?

Talo Çela: Kemi qenë si gjithë të tjerët me punë të vogla.

Spartak Koka: Por cila është pasuria juaj?

Talo Çela: Atë kam pasuri unë, shtëpinë. Shiti baba shtëpinë, bëmë një shtëpi këtu.

Spartak Koka: Z.Çela, akuzoheni se jeni i përfshirë në 12 milionë Euro grabitje.

Talo Çela: Kur thua 12 milionë Euro, ku janë lekët… /klanplus