Emri i 42-vjeçarit doli në skenë pas dëshmisë së kushërinjve Jamaku

Gjykata e Tiranës ka lënë në qeli Gjergj Cukalin i arrestuar si porositës i atentatit të dështuar ndaj Gjon Menës në Kamëz.

Sipas prokurorisë emri i tij ka dalë në skenë pas marrjes në pyetje të kushërinjve Jamaku të cilët po ashtu janë ndaluar si bashkëpunëtorë.

Jamaku është shprehur se Cukali, i ka premtuar 30 mijë euro.

Fillimisht i ka dhënë dy mijë ndërsa pjesën tjetër do e jepte kur të kryente atentatin. Sipas prokurorisë Jamaku pretendon se kur ka vënë lëndën plasëse ka telefonuar Cukalin duke i thënë qe ia kemi vendosur poshtë gomës pasi nuk fiksohej siç duhej në mjet. Në këtë moment Cukali e ka quajtur të paaftë dhe më pas ka ndodhur shpërthimi.

Avokatët mbrojtës në seancën gjyqësore kërkuan masë me të lehtë sigurie me argumentin se klienti i tyre nuk mund të mbahet në burg vetëm me pretendimin e Enver Jamaku. Para togave të zeza dhe vetë Cukali ka mohuar të ketë njohje me Gjon Menën dhe të ketë porositur atentatin ndaj tij.

Njohjen mes tyre nuk e ka pranuar as Gjon Mena kur është pyetur për konflikte me Cukalin. Bashkëpunëtori i policisë, Enver Jamaku, së bashku me kushëririn e tij Edmond Jamaku u arrestuan dy ditë pas ngjarjes, por u mbajtën të fshehtë nga autoritetet për të arritur tek porositësi i ngjarjes.

Në seancën gjyqësore u evidentua dhe fakti se dy kushërinjtë janë tërhequr nga deklarata e parë ku akuzonin Cukalin si porositës të atentatit.

Nga të dhënat dhe dëshmitë, grupi hetimor gjithashtu dyshon se Gjergj Cukali të jetë urdhëruar nga persona të tjerë për të porositur eliminimin e Gjon Menës, i njohur ndryshe dhe si Altin Xhuxha.

Klan News