Një ngjarje e çuditshme është regjistruar sekondë pas sekonde nga një kamera amatore në një spital, në Trabzon të Turqisë.

Sipas agjencisë së lajmeve “DHA”, pacienti me simptoma është përpjekur të arratiset nga spitali ku do t’i bëhej testi për Covid 19.

Konstantn Kiaruakliev nga Gjeorgjia, 31-vjeç, ishte futur në karantinë prej më shumë se 10 ditësh. Në momentin që personeli i Spitalit Universitar Kanuni do t’i bënte testin, ai lidhi disa çarçafë dhe u përpoq të arratiset nga dritarja e katit të tretë. Për fatin e tij të keq, çarçafët nuk arrinin deri në katin zero dhe mbeti i bllokuar mbi katin e parë.

Pacientët e spitalit që panë dhe filmuan ngjarjen, paralajmëruan të dyshuarin të mos hidhet nga lartësia mbi plastikën e katit të parë, pasi mund të dëmtohej. Më pas, ata dëgjohen teksa informojnë personelin e spitalit, ekipi i sigurisë i të cilit kapën të dyshuarin.

Pavarësisht simptomave, testi i 31-vjeçarit rezultoi negativ, ndërsa autoritetet e dërguan për të vazhduar mjekimin në një dhomë të izoluar në Spitalin e Sëmundjeve Mendore, duke mos i lënë asnjë mundësi arratisje./tvklan.al