Dy turistët çekë, të cilët mbetën të bllokuar në dëborë në Malin e Korabit, janë transportuar për ndihmë mjekësore me helikopter. Ata u shpëtuan pas një operacioni që zgjati disa orë e ku u përfshinë forca të policisë së Dibrës, Kukësit, ato të Policisë Kufitare, si dhe KFOR (Lexo më shumë).


Të parët që i shkuan në ndihmë ishin banorë të zonës. Një prej tyre, në një prononcim për gazetarin Neki Feta, tregon momentin kur i gjetën.

“Të parët që shkuan i gjetën brenda në dëborë. Ne shkuam në ndihmë pak më pas, por e dhamë ndihmën tonë. Njëri ishte në gjendje më të rëndë, ndërsa tjetri më mirë”.

Sipas banorit, turistët mbetën të bllokuar për shkak të një orteku dëbore.

“Ka rrëshqitur bora, i ka vënë bora para. Ortek. Kanë shpëtuar mrekullisht”.


Shpëtimin e dy turistëve e konfirmoi edhe Ministria e Mbrojtjes.

“Pas përpjekjeve të përbashkëta të efektivëve tanë, policisë dhe KFOR, të angazhuar në operacionin e shpëtimit të turistëve zviceranë është bërë e mundur tërheqja e tyre nga vendi ku ishin bllokuar. Ata janë transportuar për ndihmë shëndetësore në Spitalin e Traumës“, thuhet në një reagim të Ministrisë për mediat./tvklan.al