Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, është shtruar në spital pasi 10 ditë më parë u zbulua se është infektuar me koronavirus.

Lajmi është zyrtarizuar nga zyra e Kryeministrit britanik. Sipas kësaj zyre, Johnson do të bëjë testime të tjera.

Kryeministri ka simptoma të vazhdueshme”, tha një zëdhënëse e zyrës për shtyp, duke shtuar se Johnson ka edhe temperaturë të lartë.

Megjithatë, nga zyra e tij deklarojnë se shtrimi në spital është një masë paraprake, pasi u këshillua nga mjeku i tij.

“Ky është një hap paraprak, pasi Kryeministri vazhdon që të ketë simptoma edhe 10 ditë pas testimit që e nxorri pozitiv ndaj virusit. Kryeministri falenderon stafin mjekësor për punën e jashtëzakonshme dhe nxit qytetarët që të ndjekin këshillat e qeverisë për të qëndruar në shtëpi që të mbrojnë bluzat e bardha për të shpëtuar jetë”, vazhdoi zëdhënësja.

Kryeministri Boris Johnson ka punuar nga shtëpia që prej 27 Marsit kur dhe u testua pozitiv ndaj COVID-19.

Mbrëmjen e sotme, Mbretëresha Elizabeth II iu drejtua me një fjalim popullit britanik duke u thënë se të gjithë së bashku do ta kalojnë këtë sfidë. /tvklan.al