Të prekurit s’duhet të dalin nga banesa, kontrollohen nga policia

Një 55-vjeçar nga Miloti, është paraqitur ditën e dielë në pikën kufitare të Kakavijës pasi kishte udhëtuar me autobus. Me leje qëndrimi në Greqi, ai kërkoi të kalonte kufirin.

Po kur policët po kontrollonin dokumentet, mes tyre qëndronte edhe testi për Covid, ku rezultati shkruante pozitiv.

55-vjeçarit i është komunikuar se është i prekur me koronavirus dhe nuk mund të kalojë si dhe duhej të karantinohej. Por, i keqinformuar ai këmbëngulte, se rezultati pozitiv do të thoshte që nuk ishte i infektuar.

Më pas 55-vjeçari është marrë nga një mjet privat për t’u rikthyer në Milot. Burime në polici thanë se ai nuk është gjobitur për thyerje të karantinës për shkak se ishte keqinformuar. Por 55-vjeçari mund të ketë infektuar edhe persona të tjerë që udhëtuan me të në autobus nga Tirana në Kakavijë.

Aktualisht në vendin tonë janë rreth 4 mijë persona aktiv të prekur me Covid-19. Televzioni Klan u interesua pranë policisë, se si kontrollohen kaq shumë persona çdo ditë, nëse dalin ose jo nga banesa.

Policia e Shtetit tha se lista i vjen nga ISHP për të gjithë personat e prekur. Më pas ajo u shpërndahet komisariateve sipas zonave dhe inspektori i zonës bën çdo ditë verifikimin nëse personi i prekur qëndron në banesë. Të infektuarit me Covid i shkohet pranë shtëpisë si dhe telefonohet nga polici i zonës.

Për të dalë nga banesa, këta persona duhet të kenë dokumentin nga ISHP, që kanë dalë negativ nga Covid dhe janë shëruar. Në polici thonë se problem ditët e fundit kanë qenë ata që konstatoheshin pozitivë në laboratorët privatë, pasi policia nuk njoftohej në kohë, siç ndodhi në rastin e 55-vjeçarit nga Miloti. Me një udhëzim të veçantë, tashmë edhe këta laboratorë do njoftojnë edhe policinë, përveçse ISHP-në.

Tv Klan