Në Llugaxhi të Lipjanit u mbajt këtë të premte ceremonia mortore e 35-vjeçares Hamide Magashi, e cila dy ditë më parë u qëllua për vdekje para Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë.

Miq, të afërm e familjarë i dhanë lamtumirën e fundit të resë, e cila ishte në muajin e 9 të shtatzënisë. Në varrim mori pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ashtu sikurse edhe anëtarë të tjerë të kabinetit të saj. I pranishëm ishte gjithashtu edhe kreu i Komunës së Lipjanit.

Autor i dyshuar i ngjarjes së rëndë është ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili, i cili u vetëvra mesditën e kësaj të premteje. Ishte Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i cili njoftoi se 31-vjeçari i dha fund jetës pasi ishte lokalizuar nga policia dhe kjo e fundit po përpiqej të negocionte për dorëzimin e tij.

35-vjeçarja ishte ndarë nga Halili vetëm 3 muaj pas martesës, për shkak të dhunës së vazhdueshme që ai ushtronte. Një ditë më parë, në një intervistë për gazetaren e Tv Klan, Blerta Dalloshi Berisha, motra e viktimës rrëfeu se ishin detyruar të kërkonin edhe ndihmën e policisë për ta hequr nga duart e tij 35-vjeçaren.

Sipas Burbuqe Brahimit, kërcënimet kishin vazhduar edhe pas ndarjes. Madje ai kishte kërcënuar se do të vrasë atë, motrën e saj të vogël dhe dhëndrin me të cilët jetonte Hamidja.  

Ndonëse kishte urdhër-mbrojtje për 35-vjeçaren, ajo u vra në oborrin e QKUK-së. Ministrja e Drejtësisë së Kosovës ka paralajmëruar shkarkime sapo të vërtetohet dështimi në hallkat institucionale.

Po për rastin e 35-vjeçares, këtë të premte, Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut. Në këtë takim i cili nis në orën 19:00, janë ftuar krerët e institucioneve të Kosovës, institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile./tvklan.al