Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka mohuar sërish zërat për një largim të mundshëm të tij nga detyra që mban. Gjatë një deklarate për mediat për adresat e qendrave të votimit, Lleshaj u pyet nëse ia ka dorëzuar dorëheqjen Kryeministrit Edi Rama.

Por ministri Lleshaj i hodhi poshtë këto pretendime, duke thënë se do të vazhdojë të kryejë detyrën që mban.

Pyetje: Nga informacionet që na kanë ardhur nga brenda Ministrisë së Brendshme, por edhe zëra brenda Ministrisë së Brendshme dhe kabineti qeveritar, është përmendur fakti sërish i dorëheqjes tuaj dhe që i është dërguar Kryeministrit të vendit. Në qoftë se këto zëra janë të vërteta dhe ju i përgënjeshtroni, do të thotë që brenda Ministrisë së Brendshme ka përpjekje që në një farë mënyre duan t’ju dëmtojnë. Si i komentoni?

Sandër Lleshaj: Unë nuk e mësoj dot mjeshtërinë tuaj që duhet të verifikoni vetë burimet që ju besoni ose jo. Në qoftë se ju besoni burimet tuaja, është përgjegjësia juaj. Më duhet të them që i kam dëgjuar vonë dhe përgjithësisht nuk e kam për zakon të komentoj lajme që s’kanë kuptim. Siç e shihni, unë jam në detyrë, do vazhdoj ta kryej atë me përkushtimin maksimal. Nuk ka asgjë të vërtetë, as nuk ka pasur asgjë të vërtetë, as afër të vërtetës në të gjithë këtë histori, e cila vetëm sa provon se sa rëndë e kemi gjendjen e informimit apo të dezinformimit publik në Shqipëri.   /tvklan.al