Karriera e saj në industrinë muzikore shënon pa frikë një sërë suksesesh që e kanë kompletuar si artiste profesioniste. Në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan, pyetjes se kujt i këndon tradhtisë apo dashurisë, artistja Rozana Radi jep një përgjigje të artikuluar. Teksa shprehet se ka ndjekur gjithnjë rrugën e xhaxhait të saj të ndjerë Françesk Radit, ajo shton se u këndon temave të forta.
“Kam një penë të fortë sa i përket tradhtisë,” u shpreh këngëtarja, ku sipas saj në këtë gjeneratë të re çdo gjë anon nga tradhtia.
Rozana Radi: Më ka rezultuar që godas më shumë kur kam tema të forta. Unë kam ndjekur rrugën e Françesk Radit. Franko gjithmonë i ka kënduar kauzave të caktuara, temave sociale dhe kam dashur që ta vazhdoj këtë rrugë. Kam ngritur zërin për tema të caktuara dhe mirë kam bërë, por mendoj se kam një penë të fortë për sa i takon tradhtisë sepse tani me këtë gjeneratën e re që ka ardhur çdo gjë anon nga tradhtia. Nuk kam asgjë, por bota është bërë një gënjeshtër e madhe, kështu që ajo që mbizotëron është tradhtia, tradhti në shoqëri, në një marrëdhënie apo në punë, pra kryefjala e ditës së sotme është tradhtia.
Këtë vit Rozana Radi konkurron në festivalin e “Kënga Magjike” për të marrë çmimin e parë me këngën “Akoma”. Këngë të cilën e këndon bashkë me këngëtarin e njohur grek Sany Dimitri. Rozana Radi shprehet entuziaste për kompeticionin, ku ndër të tjera thotë se do donte të zgjaste dhe disa muaj të tjerë. Nga ana tjetër për sa i përket impaktit të këngës, ajo shprehet se është shumë e lumtur duke qenë se kënga është përqafuar nga çdo brez dhe ka marrë një jehonë e nga mediat greke.
Rozana Radi: Unë kam pasur suksese të shumta në jetë, “Valsin e tradhtisë”, “Ma thuaj ti”, “Kur përfundon një dashuri si kjo e jona,” e shumë të tjera. Jam produkt i “Këngës Magjike” më lejo ta them këtë. Por, impaktin që ka marrë kjo këngë mua më ka çuditur. Këngën e duan fëmijët, e do dhe mosha e tretë përveçse e do rinia. Është një këngë që ka dalë jashtë “vijës së verdhë së Këngës Magjike” të asaj që unë dhe bashkëpunëtorët e min donim dhe kjo është mëse e mjaftueshme. Doja që “Kënga Magjike” të zgjasë edhe 3 muaj përpara se ta këndojmë në netët e Pallatit të Koncerteve, po e shijoj shumë./tvklan.al