Rrugorët i kërkuan favore seksuale

Dy punonjës të policisë rrugore në kryeqytet kanë përfunduar në prangat e kolegëve të tyre pas kallëzimit të një vajzë se e kanë ngacmuar seksualisht dhe kanë kërkuar para prej saj.

Në pranga janë vënë Henrik Zelija, me detyrë Oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë dhe Laurenc Duda, me detyrë Shef Seksioni për Verifikimin e Shkeljeve Administrative.

Hetimet janë ndjekur nga prokuroria kundër krimit dhe korrupsioni, pas një aksidenti rrugor të ndodhur nëntorin e kaluar. Punonjësit e policisë, pas ngjarjes kanë sekuestruar mjetin e vajzës, por në fund të hetimeve duhet t’ia kthenin sërish.

Gjithashtu në sajë të hetimeve ka rezultuar se dy efektivët kanë zvarritur procedurat e dorëzimit të automjetit duke kërkuar në këmbim para dhe favore seksuale.

Tashmë të arrestuarit do të përballen me akuzën e “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorim i detyrës, kryer në bashkëpunim”.

Tv Klan