Filmi i Ermal Mamaqit shfaqet në Pallatin e Kongreseve

Një premierë ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim, duke respektuar traditat e duke thyer zakonet.

Ermal Mamaqi zgjodhi të kthente Pallatin e Kongreseve në një kinema të vërtetë për të prezantuar filmin e tij më të ri “I love Tropoja”.

Pas suksesit të “2 gisht mjalt”, përvoja dhe eksperienca tashmë në prodhimin e një filmi, për Ermalin ka më shumë sfida.

Bashkëprotagoniste me Ermalin, Arjola Demiri e konsideron përkushtimin dedikuar këtij filmi një meritë për publikun.

Filmi trajton historinë një djali me ambicie të mëdha për jetën, i cili shpreson që së shpejti të vendoset në pozicionin që meriton në kompaninë ku ai punon, por e gjen veten aty ku nuk e kishte menduar kurrë, në qytetin verior të Tropojës.

Veç emrave të tjerë të njohur si Marjana Kondi, Bruno Shllaku, Julian Deda apo dhe Enca Haxhia, zbulimi i pjesëmarrjes së Kryeministrit Edi Rama në “I love Tropoja” duket se do të ishte vetëm një nga elementët që do të bënte të shiteshin menjëherë 15.000 bileta.

 “I love Tropoja” do të shfaqet për dy javë me radhë, 6 herë në ditë në ekranin madhështor vendosur në sallën e Pallatit të Kongreseve.

Tv Klan