Kryeministri Edi Rama ishte në Durrës paraditen e sotme teksa kreu një vizitë pranë ndërtesave të dëmtuara në zonën e plazhit. Teksa u pyet nga gazetarët, Kryeministri nuk komentoi dorëheqjen e kryetares së Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako, por theksoi se mediat duhet të japin më shumë energji pozitive.

Ai i konsideroi si heronj gazetarët e terrenit, por kërkoi që të mos mbillet mërzi dhe ankth tek qytetarët. Sipas kreut të qeverisë, qytetarëve u duhet përsëritur se nuk ka rëndësi nëse është plasaritur muri, por duhet parë nëse është prekur struktura e objektit.  

“Unë mendoj që nuk është normale ajo që bëjnë ata që ju nxjerrin në terren sepse duhet të investojnë që të jepni sa më shumë energji pozitive, dhe të mos merreni nga këto historitë që janë anësore. Ju jeni heronj që rrini në terren, por ata që ju drejtojnë në telefon nga redaksitë dhe nga ata që mbledhin në darkë lloj-lloj sharlatanësh sepse njerëzit janë të tmerruar dhe një nga gjeneratorët e tmerrit janë ekranet e debateve pa kuptim dhe ekranet që mbushen me kronika sikur këtu ka rënë bomba. Në fakt nuk ka rënë “bomba” në çdo shtëpi. Ka shtëpi në të cilat ka rënë “bomba” dhe ne do t’i shembim, por ka të tjera që janë të riparueshme. Është misioni juaj që mos të lini rast pa ia përsëritur njerëzve që nuk ka rëndësi fare nëse ka plasur muri apo është çarë muri, rëndësi ka është prekur apo jo struktura. Pra a janë prekur apo jo kolonat? Kemi angazhuar gjithë këtë rrjet ndërkombëtar sepse duam që njerëzit ta kenë në dy vula. Nëse nuk mund të ndihmoni mos e bëni punën më të vështirë duke hedhur helm edhe duke mbjellë mërzi tek njerëzit. I luajtët njerëzit mendsh, nuk e kam me ju këtu, por me njerëzit që ju drejtojnë nga redaksitë”, tha Rama.

Këtë të diel, Valbona Sako me anë të një postimi në Facebook njoftoi dorëheqjen nga detyra e kryetares së bashkisë.

“E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës. Falenderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan dhe shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve”, shkruante Sako./tvklan.al